Vonesat e fluturimeve të kompanive ajrore (veçanërisht atyre “low cost”)  prej kohësh janë shkaktare të pritjeve disa orëshe në terminale dhe irritimit të udhëtarëve, të cilët në një pjesë të madhe, mjaftohen me shfryrje në rrjetet sociale apo midis tyre.

Por në fakt, shfryrja nuk ka përse të jetë i vetmi reagim në raste të tilla, duke qenë se ekziston një rregullore europiane e të drejtave të pasagjerëve ajrorë, që përcakton mundësitë e kompensimit apo rimbursimit, në rastet kur fluturimi vonohet, anulohet apo nuk ju lejohet të ngjiteni në bord.

Sipas rregullores, çdo pasagjer i pakënaqur mund të plotësojë një formular ankese, i cili mund të ndiqet edhe më tej nëse nuk jeni të kënaqur me kompensimin apo rimbursimin. Por duke qenë se kjo rregullore vlen vetëm për vendet anëtare të BE-së, pasagjerët që nisen nga aeroporti i Prishtines, Shkupit apo Tiranes, mund të përfitojnë prej saj vetëm në rastet kur kompania ajrore është e regjistruar në një vend të BE-së.

Rregullorja përcakton:

Rimbursimi

Nëse ju ndalohet ngjitja në bord, ju anulohet fluturimi ose ka më shumë rezervime se kapaciteti i avionit, keni të drejtë që:

-Të transportoheni drejt destinacionit tuaj final me një mjet të ngjashëm ose

-T’ju rimbursohet bileta dhe aty ku shihet e arsyeshme, t’ju kthehet pa pagesë shtesë në pikën fillestare të nisjes.

Vonesat e gjata: Nëse avioni vonohet për 5 orë ose më shumë, juve ju takon rimbursimi i biletës (por nëse pranoni rimbursimin, kompania ajrore nuk ka më detyrim që t’ju sigurojë transport apo asistencë).

Kompania ajrore duhet t’ju njoftojë për të drejtat tuaja dhe për arsyen përse ju ndalohet të hipni në bord si dhe për çdo anulim dhe vonesë të gjatë (mbi 2 orë, ndonëse kjo mund të shkojë deri në 4 orë për fluturimet mbi 3’500 km).

Kompensimi

Nëse ju ndalohet të ngjiteni në bordin e avionit, ju anulohet fluturimi ose avioni mbërrin më shumë se 3 orë me vonesë në destinacionin final të përcaktuar në biletë, ju keni të drejtë të kompensoheni nga 250-600 euro, bazuar në distancën e fluturimit.

Brenda BE-së

1’500 km ose më pak – 250 euro

Mbi 1’500 km – 400 euro

Ndërmjet një aeroporti të BE-së dhe një aeroporti jo të BE-se

1’500 km ose më pak – 250 euro

1’500 km-3’500 km – 400 euro

Mbi 3’500 km – 600 euro

Bagazhet e humbura apo të dëmtuara

Nëse bagazhet tuaja janë regjistruar në pikat e “check-in” dhe kanë humbur, janë dëmtuar ose janë vonuar, ju keni të drejtën e një kompensimi që arrin deri në 1’220 euro.

Përjashtim bëjnë rastet kur dëmi është shkaktuar nga një defekt i vetë bagazheve.