Për ata që ende mendojnë se Turqia nuk është aq cool dhe moderne, ndiqeni këtë guidë për zonat më të nxehta të Stambollit, ku rrinë të bukurit e fashionista-t, intelektualët dhe të famshmit e hollivudit që i kanë shtuar vizitat në një nga tregjet më të rëndësishëm europianë dhe aziatikë.

RESTORANTI MIKLA – Konsiderohet si restoranti Numër Një i Stambollit dhe një nga vendet më romantike dhe më të bukura në qytet. Shërbimi ështëeuml; fantastik dhe këtu çdokush ndihet VIP.

RESTORANTI 360 – Një restorant i famshëm i qytetit me një tarracë verore, bar, një klub nate shumë popullor dhe një pamje e mrekullueshme nga të katër anët. Restoranti 360 është një vend klasik i Stambollit bashkëkohor dhe ofron gatime ndërkombëtare nga shefi i kuzhinës, afrikanojugori Mike Norman.

LUCCA BISTRO BAR – Kafeja e vogël moderne e themeluar në vitin 2004 është ndër të preferuarit e zonës së Bebekut këto pesë vitet e fundit për ushqimin, shërbimin, koktejet e famshme dhe atmosferën e këndshme. Luça njihet për kokteje origjinale, si Satsuma Vodka, për Tapas të përgatitur nga kuzhinierë spanjollë, për një meny ndërkombëtare dhe për klientelën më trendy në qytet.

XHAMIA ORTAKÖY – Një nga zonat më të populluara natën në Bosfor. Xhamia origjinale u ndërtua në shekullin XVIII, ndërsa aktualja u ndërtua midis viteve 1854-1856.

GALERI NEV – E themeluar në 1984 nga dy arkitektë, Ali Artun dhe Haldun Dostoglu. Mbi 300 ekspozita janë realizuar në këtë galeri, ku përshihen dhe prezantimet e para të modernistëve turq. Këtu janë hapur dyert dhe për artistë të mëdhenj europianë, si: Alechinsky, Dali, Picasso, Dubuffet, Pedersen dhe Saura.

AL JAMAL – I famshëm për ushqimin e shijshëm, arredimin e brendshëm prej haremi dhe shfaqjet shumëngjyrëshe. Provoni një pjatë tradicionale të Lindjes së Mesme dhe shijoni disa nga performancat më me klas në belly-dancing. Al Jamal-i është vendi i të famshmëve nga e gjithë bota, të cilët, kur i ftojnë në Stamboll, e kanë “të detyrueshme” një ndalesë këtu.

KIZ KULESI – E njohur ndryshe si Kulla e Virgjëreshës ose Kulla e Leandros nga grekët e lashtë, është ndërtuar në vitin 408 përpara Krishtit për të kontrolluar lëvizjet e anijeve perse në Bosfor. E përdorur ndër shekuj si far, sot pjesa e brendshme e kullës është transformuar në një kafe dhe restorant. Kjo kullë gjendet edhe në lirën turke.

KANYON SHOPPING MALL – Një qendër tregtare supermoderne dhe luksoze me rreth 160 butikë, që variojnë nga markat më të famshme botërore tek ato lokale. Një nga dyqanet më të famshme angleze, Harvey Nichols, është pjesë e kësaj qendre.

SUADA BEACH CLUB – Ndodhet në ishullin e Suadës, midis dy kontinenteve. Njerëz të bukur vijnë këtu për të shijuar koktejet e famshme, sushin e shijshëm dhe kuzhinën ndërkombëtare. Suada është përfaqësuese e Stambollit me sharm. Suada Beach Club ofron një pamje 360-gradëshe të Bosforit dhe është e njohur për organizime festash në ditët e nxehta të verës.

Haydarpaşa – Atje ku nisi gjithçka! Omeri kthehet nga ushtria dhe takohet me miqtë e tij më të ngushtë, si edhe me të dashurën, Ejshanin. Në atë stacion të katërt bëjnë edhe foton që Ezeli do ta mbajë me vete gjatë gjithë kohës në burg, ku bluante hakmarrjen. Hajdarpashai është ndërtuar më 1908 nga arkitektët gjermanë Otto Ritter dhe Helmut Conu dhe ishte dhuratë nga Kaiser Wilhelm 2 për sulltanin Abdul Hamid II dhe vetëm vitin e fundit u konsiderua nga qeveria si qendër kulturore. Duke qenë se Stambolli ka qenë një qytet i rëndësishëm në perandorinë otomane, Hajdarpashai ishte vendi që lidhte këtë perandori me perëndimin dhe lindjen. Vizitojeni përpara se të mbyllet për t’u kthyer në një qendër ku njerëzit mund të kalojnë kohën e lirë, të bëjnë shopping apo të vizitojnë historinë e Turqisë.

Molla Aşki – Është kafeja më e famshme e filmit. Një pjesë e mirë e skenave janë zhvilluar në këtë kafe. Molla Aşki është pjesë e Molla Aşki Culture Park. Ajo është famshme sepse ka pamjen më këndgjerë të Stambollit, krahasuar me kodrat e Pierre Loti-t.

Ura Galata (Yeni Galata Köprüsü) – Një nga urat më të famshme të Turqisë, e përmendur në letërsi, teatër dhe poezi. Ura ku Ramizi, i sapodalë nga burgu, e vëzhgonte me aq mall nga tarraca e apartamentit të Ezelit. Ura Galata është në zemër të Stambollit, duke lidhur dy cepa të gjirit Briri i Artë. Në perëndim të Urës është kontinenti europian dhe në lindje Azia. Thuhet se Sulltan Bajaziti i Dytë i kërkoi Leonardo da Vinçit të projektonte një urë më 1503, 50 vjet pasi qyteti kishte rënë në duart e Bizantinëve. Artisti dhe inxhinieri i madh e bëri projektin, por ai nuk u pranua. Ura aktuale Gallata u ndërtua në vitin 1992.

Pierre Loti Café – Kafeja nuk është pjesë e filmit, por ka një nga pamjet më të bukura të qytetit dhe prej andej mund të shihni edhe urën e famshme, ku shpesh takoheshin heronjtë e serialit, ura ku nisi edhe hakmarrja e Ezelit. Julien Viaud, oficer francez marine, i cili shkruante novela nën pseudonimin Pierre Loti, e vizitonte shpesh këtë kodër duke shkruar për qytetin që dashuronte. Në kohën e Loti-t, kafeja ishte e thjeshtë me disa stola dhe një sobë ku gatuhej kafe turke. Sot në këtë zonë ka edhe një hotel me 5 yje dhe një restorant shumë të frekuentuar. Vizitoni këtë kafe dhe monumentet e kulturës rreth saj, si: Xhamia e Ejupit, Muret Bizantine të qytetit, mozaikët e Muzeut Kariye etj.

Şile Feneri – Nuk duam t’iu prishim fundin atyre që s’e kanë parë, por ju themi vetëm kaq: Shile Feneri luan një rol të rëndësishëm në film, një rol simbolik dhe të paharrueshëm. Një far historik, Shile Feneri ndodhet në bregun perëndimor të Detit të Zi, në qytetin verilindor të Shile-s, në provincën e Stambollit. Ndërtimi i tij u urdhërua nga sulltani otoman Abdulmecid dhe u ndërtua në 1859-ën nga inxhinierë francezë. Në vitin 1860 fari u bë funksional. Ai është ndërtuar në një greminë në Kepin Shile dhe është i gjatë 19 metra, me formën e një prizmi tetëkëndësh. Viti 2010 ishte 150-vjetori i inaugurimit dhe, me këtë rast, pati festime nga 25 maji deri më 23 korrik. Posta turke ka nxjerrë edhe një pullë me foton e farit.

Büyük Yeni Han – Edhe pse i pasur, dajë Ramizi ose plaku i mençur i serialit, fshihej në një lagje të lënë pas dore që të mos e gjenin armiqtë e tij. Ky vend njihet në Stamboll si Büyük Yeni Han (Hani i madh e i ri) dhe i përket shekullit XVIII, i ndërtuar rreth vitit 1760. Büyük Yeni Han-i ka një kopsht shumë të gjatë dhe harqe nga të dyja anët, e vetmja arkitekturë e këtij lloji që ka mbijetuar nga ajo epokë. Ky është një nga rreth 12 hanet e ndërtuara gjatë Perandorisë Otomane, të cilët u shërbenin tregtarëve të huaj. Stambolli, si qytet, përfitonte edhe duke qenë në pragun e Europës, por edhe si ndalesa perëndimore e rrugës së mëndafshit: Në hane të tillë ndalonin karvanët që vinin nga Azia, të ngarkuar me erëza dhe porcelane.

Bulevardi Istiklal – Ju kujtohet puthja e parë e Ezelit me Ejshanin? Ezeli vrapoi pas saj në një rrugë të mbushur me njerëz dhe të dy puthen mes qindra syve. Puthja ndodhi në një nga bulevardet më të famshme të Stambollit, të cilin e vizitojnë 3 milionë njerëz çdo ditë fundjave. I ndodhur në zonën historike Beyoğlu, kjo rrugë elegante është 3 kilometra e gjatë, me butikë, galeri arti, kinema, teatro, biblioteka, kafe, pabe,klube nate, pastiçeri dhe restorante. Bulevardi Istiklal u ndërtua në fund të Epokës Otomane dhe përfshin një përzierje stilesh, si: neoklasike,neogotike, Beaux-Arts, Art Nouveau, si edhe arkitektura kombëtare turke. Zona është një vend fantastik për të bërë shopping. Ky bulevard ka ndërtesa të rëndësishme historike dhe politike, si Çiçek Pasaji (Rruga e Luleve) ku ndodhen restorante intime dhe të vogla, Balik Pazari (Tregu i Peshkut), institucione akademiketë ndërtuara nga vende si Austria, Franca, Gjermania apo Italia në fillim të shekullit XIX.